VMRO-DPMNE ka publikuar dokumente të reja me të cilat pretendon se pasaporta të Maqedonisë së Veriut u janë dhënë edhe narko bosëve nga Shqipëria. Sipas kësaj partie, me pasaportë është pajisur edhe një i akuzuar për vrasje. Nga kjo parti kanë kritikuar pushtetin se po kapen vetëm peshqit e vegjël.

“MPB me procedurë të rregullt më 17 korrik 2019 i ka dhënë pasaportë maqedonase me numër C1265083 shefit të narko klanit nga Shqipëria, Florian Musaj, me identitet të rrejshëm. Kjo është ajo pasaportë.”,- theksoi Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.

Por, nga LSDM kanë ftuar prokurorinë të hetojë tentimet e Hristian Mickovskit për të sabotuar aksionin policor dhe cenimin e hetimeve lidhur me këtë rast.

“Nuk mundet askush e më së paku parti politike të tentojë të shkelë hetime të mbrojë kriminelë të sabotojë aksione të organeve shtetërore. Tentimet e Hristian Mickovskit për të sabotuar aksionin policorë dhe cenimin e hetimeve duhet të jenë lëndë e interesimit të Prokurorisë Publike.”,- theksoi Kostadin Kostadinov nga LSDM.

Ndërkohë, Ministria për Punë të Brendshme deri tek Prokuroria Themelore Publike ka dorëzuar dy kallëzime penale, në të cilat përfshihen 11 persona, për veprën penale “keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimit”, në lidhje me lëshimin e pasaportave me identitet të rrejshëm.

Siç bëjnë të ditur nga Prokuroria, në këtë rast dyshohen 10 të punësuar në MPB përkatësisht në shërbimet për dhënien e pasaportave, si dhe një person tjetër, si nxitës, i cili ka ndërmjetësuar gjatë lëshimit joligjor të dokumenteve.

“Akuza e parë penale i referohet 215 pasaportave të lëshuara në mënyrë të paligjshme, ku të dyshuarit u mundësuan shtetasve të huaj që të marrin pasaportë maqedonase me identitet të rrejshëm, me foto të personit të cilit i është lëshuar pasaporta. Është përdorur identiteti i njerëzve që jetonin në diasporë. Aktakuza e dytë përfshin 4 pasaporta të lëshuara në mënyrë të paligjshme, ku janë përdorur disa numra amë të lëshuar për 1 person, të cilët nuk ishin të përfshirë në procedurën e anulimit të tyre, për të krijuar një identitet të ri, i cili shoqërohet më pas me foto të personit që kërkon pasaportë.”,- thonë nga Prokuroria, sipas të cilës me këto dy kallëzime penale janë përfshirë gjithsej 219 pasaporta të lëshuara në mënyrë joligjore.