Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ky është komunikimi i parë i drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të dy vendeve aleate të NATO-s, raportet e të cilave janë dobësuar shumë.

Telefonata e shumëpritur ndodhi më shumë se tre muaj pas inaugurimit të Bidenit në pozitën e presidentit të SHBA-së, një sinjal se ai nuk do të mbajë kursin e njëjtë ndaj udhëheqësit turk, sikurse paraardhësi i tij, Donald Trump.

Më 24 prill, në Ditën Përkujtimore të masakrës ndaj armenëve, Biden pritet të deklarojë se vrasja dhe dëbimi i armenëve në Perandorinë Osmane më 1915 përbëjnë gjenocid.

Është pothuajse e sigurt se ky veprim do ta zemërojë Ankaranë dhe do të dëmtojë më shumë raportet mes dy vendeve.

Agjencia Reuters, duke u thirrur në burime të saj, raporton se Biden ia ka bërë me dije Erdoganit se e ka në plan të njohë masakrën ndaj armenëve si gjenocid.