Shtrirë në dy kontinente, me detin që ndanë dhe urat që lidhin, Stambolli është adresë e miliona turistëve.

Mbi një vit e ca bota përballet me pandeminë e COVID-19 që ka lënë pasoja; duke marrë jetë e duke ndikuar në mënyrën e të jetuarit.

Ndonëse në një mënyrë ndryshe të të bërit jetë, njerëzit anembanë botës për t’i shmangur ditët e gjata të izolimit, kanë gjetur një të “çarë” edhe për pushime e vizita turistike.

Këtë e kanë mundësuar shtete të ndryshme – me gjithë peripecitë.

Ngjashëm po bën edhe Turqia. Autoritetet përgjegjëse janë duke punuar që të tërheqin vizitorë edhe për sezonin 2021.

Është Agjencioni për Promovim dhe Zhvillim të Turizmit – TGA në kuadër të Ministrisë së Kulturës që angazhohet për promovimin e pikave turistike që ka Turqia, e të cilat mund të jenë atraksion për turistët, qoftë vendorë apo ata ndërkombëtarë.

E para dhe mbi të gjitha është siguria – shëndeti i tyre.

Dhe, për këtë Ministria e Kulturës dhe Ministria e Shëndetësisë e Turqisë kanë nisur procesin e vaksinimit të punëtorëve turistikë.

Programi i vaksinimit “Certifikata për Turizëm të Sigurt” nisur më 2020 e që pritet të përmbyllet para nisjes së sezonit turistik për vitin 2021, synon që të mirëpresë turistët dhe t’u ofrojë atyre siguri shëndetësore.

Si rrjedhojë, forcës punëtore turistike i është dhënë përparësia për vaksinim.

Në vitin 2020, Turqia u vizitua nga 50 milionë turistë, derisa sivjet me masat e marra ky numër pritet të jetë dukshëm më i lartë.

Terreni është përgatitur.

Është shteti turk që javë më parë ka organizuar takimin “B2B” të vendimmarrësve kryesorë globalë të industrisë së turizmit.

Qëllimi i këtij takimi të mbajtur në Stamboll ishte ngritja e sigurisë për turistët më kohë pandemie, që përfshihet në programin “Certifikata për Turizëm të Sigurt”.

Gjeografikisht e shtrirë në dy kontinente, Turqia ka aq destinacione turistike, sa që miliona turistë e kanë zgjedhje të parë.

Një miks kulturash, simbiozë e të vjetrës me të renë – kultura, arti, moda dhe moderniteti hasen edhe nëpër hapësira e kënde që nuk janë larg njëra-tjetrës.

E tillë është kryeqendra – Stambolli, që është pikënisja drejt shtigjeve të tjera turistike përbrenda Turqisë e të cilat janë të shumta.