Policia ka arrestuar 4 persona, të cilët u arrestuan pasi tentuan të trafikonin drogë në kufi me Greqinë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Lugina”, u arrestuan A. S.(Gj.), 30 vjeç, P. L., 40 vjeç dhe M. Xh., 61 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim”; L. D., 24 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”. Ndërsa u shpall në kërkim shtetasi N. L., 35 vjeç, vëllai i shtetasit P. L. (i arrestuar).

Njoftimi i policisë

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Kapshticë, shërbimet e Frontex-it dhe SHÇBA Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Tentuan të trafikonin lëndë narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë, vihen në pranga 4 shtetas.
Sekuestrohen 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, fara kanabisi, mjete që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, bazuar në provat e grumbulluara, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare Kapshticë dhe SHÇBA Korçë, falë dhe koordinimit të veprimeve me shërbimet e Frontex-it, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lugina”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. S.(Gj.), 30 vjeç, P. L., 40 vjeç dhe M. Xh., 61 vjeç, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim”;
L. D., 24 vjeç, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak”
.
Në vijim të operacionit u shpall në kërkim shtetasi N. L., 35 vjeç, vëllai i shtetasit P. L. (i arrestuar).
Këta shtetas, në momentin që janë konstatuar nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Kapshticë dhe ato të Frontex-it, në vendin e quajtur “Lugina e Refugjatëve”, kanë hedhur në tokë 2 çanta shpine, brenda të cilave kishte një sasi prej 10 kg lëndë të dyshuar kanabis, të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit L. D., u gjetën dhe u sekuestruan një krehër pistolete, fara kanabisi, fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar në gota, si dhe mjete të ndryshme që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.