Një punonjëse policie humbi jetën pas një sulmi me thikë pasditen e sotme në një stacion policie në Francë, raporton EN. Ngjarja ndodhi pranë stacionit të policisë në Rambuje, në jugperëndim të Parisit, teksa punonjësja e policisë, e njohur me emrin Stéphanie, 48 vjeçe, po kthehej nga pushimi i drekës. Ajo vdiq në vend pasi u godit në pjesën e qafës.

Agjencia Franceze e Lajmeve tha se agresori, ishte një 36-vjeçar me origjinë nga Tunizia, i cili u qëllua për vdekje me armë nga një tjetër punonjës policie. Ngjarja ka vënë në punë Prokurorinë Kombëtare Anti-Terror në Francë duke vënë në alarm të gjithë territorin për dyshime se ngjarja mund të ketë sfond terrorist.

Presidenti Emmanuel Macron komentoi në Twitter se Franca “nuk do të ndalet së luftuari kundër terrorizmit islamik”.

Kryeministri i Francës, Jean Castex dhe ministri i Brendshëm Gerald Darmanin shprehën ngushëllime për punonjësen që humbi jetën dhe deklaruan publikisht mbështetjen për forcat e rendit. Ata e konsideruan sulmin “barbar” dhe “burracak”.

Policia u bëri apel qytetarëve të mos përhapin informacione, fotografi, apo pamje nga vendngjarja për të minimizuar përhapjen e panikut.

Sulmi rikthen në vëmendje ngjarjet e mëparshme në rrethinat e Parisit. Pesë vite më parë dy punonjës policie u therën me thikë, ndërsa vitin e shkuar tre punonjës të tjerë u vranë nga një koleg i tyre teksa në një ngjarje tjetër një mësues u vra brutalisht pas një ore mësimore.