Nga ora 14:00 e ditës së premte 72 institucione që gëzojnë statusin e objekteve të rëndësisë së veçantë u morën në mbrojtje nga forcat e ushtrisë, në kuadër të masave shtesë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Bëhet me dije se përveç godinës së Kryeministrisë, të gjitha dikastereve të ministrive, kanë një mbrojtje të veçantë, gjithashtu dhe selitë diplomatike me rëndësi në kryeqytet, duke filluar nga godina e Ambasadës Amerikane, dhe ambasadave të tjera, kryesisht të vendosura pranë bllokut në rrugën “Skënderbeg”.

Gjithashtu edhe Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese janë marrë në mbrojtje, ndërsa për herë të parë që prej krijimit është edhe Gjykata e Posaçme dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Dorëzimi i këtyre institucioneve nga forcat e ushtrisë do të bëhet pas përfundimit të plotë të procesit zgjedhor. Mbrojtja e objekteve të rëndësisë së veçantë bëhet përmes një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për të garantuar qetësinë në zgjedhje. Në kuadër të masave për zgjedhjet do të angazhohen në të gjithë vendin edhe efektivë të Policisë së Shtetit në QV dhe KZAZ.

Forcat e armatosura do të qëndrojnë në gatishmëri deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor, një praktikë e ndjekur në çdo zgjedhje, si në ato vendore ashtu edhe në ato parlamentare.