Rastet e reja me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara ranë 0.4% javën e kaluar pas një rritjeje prej katër javësh radhazi, sipas një analize të agjencisë Reuters për të dhënat e shteteve dhe qarqeve.

Ekspertët shëndetësorë thonë se rastet e reja nuk po shënojnë më rritje, edhe pse variantet më infektive të virusit e kanë ngadalësuar përparimin e bërë me vaksinimet.

Vendi regjistroi gati 70,000 raste të reja në ditë në javën që përfundoi më 18 Prill, krahasuar me 55,000 raste të reja në ditë në mars dhe rreth 30,000 raste të reja në të njëjtën kohë vitin e kaluar.

Miçigani vazhdon të jetë në krye të shteteve, me gati dy herë më shumë raste të reja për 100,000 njerëz sesa shtetet Rod Ajllënd dhe Nju Xhersi.

Numri mesatar i pacientëve me COVID-19 në spitale u rrit me 5% duke shkuar në më shumë se 41,000 në të gjithë vendin. Kjo është rritja për të tretën javë radhazi.

Vdekjet nga COVID-19 ranë 2.8% javën e kaluar, duke përjashtuar një numër të madh vdekjesh të raportuara në Oklahoma, por që u raportuan me vonesë. Përfshirë numrin e prapambetur, vdekjet e raportuara ranë me 2.7%.

Gjithsej në SHBA, gati 568,000 njerëz kanë vdekur nga pandemia e koronavirusit, ose një në çdo 576 banorë.

Vaksinimet arritën pikën kulmore me 3.1 milion në ditë javën e kaluar, pas rekordeve të shënuara shtatë javët e mëparshme.

Që nga e diela, 40% e popullatës së SHBA ka marrë të paktën një dozë të vaksinës dhe 25% ishte vaksinuar plotësisht, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.