Kandidati për deputet i PD, Aldo Bumçi tha se sa më shumë kuti hapen, aq më shumë shtohet mbështetja për PD. Kurse për PS, ai deklaroi se do të pësojë rënie të numrit të votave.

Gjatë një interviste që gazetarja e “Vizion Plus”, Rajmonda Lajthia i mori për “Zgjedhje 2021”, Bumçi tha se niveli i votave për PD është në të njëjtin nivel me atë të viteve 2009-2013.

“Ka mbizotëruar vota e majtë në të kaluarën në këtë njësi, në Njësinë 1. Është numëruar gati gjysma e kutive dhe ne jemi mbi 1 mijë vota më shumë sesa zgjedhjet e 2017. Po i afrohemi rezultatit të 2009-2013. Kemi një rritje të qëndrueshme jo vetëm këtu, por në të gjithë Tiranën. Një makineri shtetërore që përdor çdo burim për qëllim elektoral. Përballë kësaj, ne kemi një rritje të votave këtu, do të numërohet çdo votë. Po ndodh një rënie e ndjeshme e PS. Kjo është zona e dytë ose e tretë më e vogël në Tiranë dhe është numëruar vetëm gjysma e kutive. Kemi një rritje të qëndrueshme të PD në të gjitha kutitë. Ky rezultat do të sjellë rritjen e PD dhe rënien e PS.”