Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve të përgjithshme deklaruan sot nga Tirana në raportin paraprak se zgjedhjet e 25 prillit se procesi i votimit u zhvillua i qetë.

Ata pohuan se partia në pushtet përdori burimet qeveritare në fushatë dhe mori avantazh nga kjo bazë.

Vëzhguesit morën po ashtu shumë pretendime për shitblerje votash, të cilat po hetohen.

Ata vlerësuan identifikimin elektronik në procesin e votimit, por dënuan tensionimet dhe vrasjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve disa ditë para votimit.

Gjetjet e raportit paraprak të misionit vëzhguesve ndërkombëtar të zyrës ODIHR të OSBE-së i paraqiti në publik nga Tirana në një konferencë drejtuesja e këtij misioni, Ursula Gacek.

Ajo tha se vëzhgimi nisi nga mesi i muajit mars dhe kjo i ndihmoi vëzhguesit të shihnin shumë probleme të tjera, që nuk i përkasin ditës së zgjedhjeve.

Ambasadorja Gacek tha se besimi i qytetarëve tek procesi zgjedhor po kthehet pas marrëveshjes politike, dhe kjo duket nga numrat e lartë të pjesëmarrjes.

Po ashtu identifikimi elektronik dhe votimi elektronik luajti rol të rëndësishëm në këtë besim, tha ajo.

“Sa i takon votimit dhe numërimit, vlerësimi ynë është që procesi ishte i qetë dhe eci mirë.

Kohëzgjatja e vëzhgimit na dha të kuptonim se partia në pushtet përdori burimet shtetërore dhe mori avantazh nga kjo” – tha ambasadorja Gacek.

Ajo shtoi se shitblerja e votave është një dukuri e vështirë për t’u hetuar dhe kjo njollos imazhin e procesit.

Një seri rastesh dhe pretendimesh për këtë po hetohen nga prokururoria shqiptare dhe ODIHR do t’i ndjekë po ashtu, sipas saj.

Lidhur me votën e emigrantëve ajo tha se shqiptarët janë vendit kanë të drejtë të votojnë, por kufizimet e vendosura prej pandemisë e vështirësuan këtë proces.