Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se më shumë se 5.2 milionë raste të reja të koronavirusit janë regjistruar në botë në shtatë ditët e fundit, duke theksuar se numri i pacientëve me COVID-19 është në rritje për të tetën javë me radhë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus duke folur në ueb faqen COVID-19 shpalosi të dhëna alarmante për shtrimin e pacientëve të moshës nga 25 deri në 59 vjeç në spital.

“Numri i të vdekurve është rritur për pesë javë ndërsa janë regjistruar më shumë se 3 milionë viktima. Numri i personave të infektuar dhe të shtruar në spital të moshës nga 25 deri në 59 vjeç po rritet në mënyrë alarmante. Shifrat e larta mund të na bëjnë të mpirë, por secila vdekje është një tragjedi për familjet, komunitetet dhe kombet”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së.

Ghebreyesus tha se Dita e Planetit, e cila festohet më 22 prill, është një lloj kujtese se “shëndeti i njeriut varet nga shëndeti i planetit që na mban”. Ai theksoi se 7 milionë njerëz vdesin çdo vit si rezultat i ndotjes së ajrit, që është dy herë më shumë se numri i vdekjeve nga COVID-19.

“Pavarësisht përmirësimeve të përkohshme të vitit të kaluar në cilësinë e ajrit, deri në shtator ndotja është kthyer në nivelet parapandemike”, tha ai.