Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, tha të premten se autoritetet e burgut e kanë kërcënuar se do ta ushqejnë me forcë, nëse nuk e ndërpret grevën e tij të urisë.

Navalny, 44 vjeç, hyri në grevë urie në fund të muajit të kaluar në shenjë proteste pasi u ankua se autoritetet e burgut nuk po e lejojnë të marrë kujdesin e duhur shëndetësor. Ai pati thënë se ka dhimbje të vazhdueshme në shpinë dhe këmbë.

Në një postim në Instagram, Navalny tha se një zyrtar i tha atij se testet e gjakut treguan se shëndeti i tij po përkeqësohej dhe e kërcënoi se do ta ushqente me forcë nëse e vazhdon grevën e tij të urisë.

Janë bërë vetëm disa muaj prej kur Navalny është trajtuar për helmim nga një agjent nervor. Pas shërimit në Gjermani, ai është burgosur në Rusi, në muajin janar.

Aktualisht, Navalny po mbahet në atë që njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi, rreth 100 kilometra në lindje të Moskës.

Gjendja e tij shëndetësore mund të jetë potencialisht jostabile për shkak të ekspozimit ndaj agjentit nervor.

Ai ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për udhërim të agjentëve të sigurisë që ta vrasin atë, diçka që Kremlini e mohon.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 7 prill se është e “shqetësuar” nga raportimet se shëndeti i Navalnyt është duke u përkeqësuar, dhe u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që të garantojnë sigurinë dhe shëndetin e tij.

“Përderisa ai është në burg, Qeveria ruse ka përgjegjësi për shëndetin dhe mirëqenien e tij”, ka thënë Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Shtëpia e Bardhë ka përsëritur po ashtu se e konsideron burgosjen e Navalnyt “të motivuar politikisht dhe padrejtësi të madhe”, dhe u ka bërë thirrje autoriteteve ruse që “të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të garantuar sigurinë e tij”.