Instruktorët presin me muaj për ri-licencim, pa pasur nevojë, derisa në regjion kjo procedurë bëhen përmes seminareve, sikurse edhe e ligjëruesve, të cilëve për ri-licencim, u kërkohet të vijojnë edhe një fakultet shtesë pas 20 viteve përvojë pune në këtë profesion.
Xhylije Ibrahimi
Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi në një konferencë për media, njoftoi dje lidhur me anulimin e dy vendimeve, njëri nga të cilët parashihte privatizimin e shërbimit të patentë-shoferëve dhe objekteve të qendrave për patentë-shofer.
Kjo është nismë e mbarë, është shpresë për ne që merremi me këtë profesion. Për më tepër ky akt, duhet të vazhdohet me inicimin e një procesi të përgjegjësisë ndaj atyre që e kishin marrë një vendim të tillë, që rezultoi me shumë probleme në Divizionin e Patentë-Shoferëve.
Besoj shumë se krejt kjo ka qenë e planifikuar, me qëllim që duke ,,ngulfatur” punën e auto shkollave, të arsyetohet qëllimi për ndryshime, kinse mënyra aktuale e aftësimit të kandidatëve për shoferë të rinj, nuk po funksionon dhe se duhet gjetur një ,,shpëtimtar” për situatën e krijuar.
Vendimet si ky që u anulua me të drejtë, udhëzime administrative, madje edhe nene të Ligjit për Patentë Shofer (neni 10, 11 etj.) janë bërë në dëm të punës së mirëfilltë të auto shkollave, duke u mohuar të drejtën e profesionit edhe atyre me mbi 20 vjet përvojë.
E gjithë kjo ishte bërë me të vetmin qëllim që t`i përgatitet terreni palës së tretë.
Ne e kemi ditur këtë me kohë dhe për të gjitha problemet, me gojë dhe me shkrim iu kemi drejtuar atyre që ishin përgjegjës deri më tani.
Shpresojmë shumë se qeveria e re do ta rregullojë gjendjen e krijuar në këtë institucion.
Ne, instruktorët, ligjëruesit e auto shkollave, qoftë ne mënyrë individuale, qoftë përmes Federatës së Auto Shkollave jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e kësaj ,,nyje” të lidhur nga paraardhësit tuaj.
Kemi kontribuar edhe më herët, kemi folur e kemi shkruar për këto probleme por ,,nyjat” veçse sa janë lidhur më fort.
Është koha që të bëhet më shumë për këtë grumbull të rinjsh që presin një termin për testim teorik mbi dy muaj e për atë praktik – mbi gjashtë muaj, ndoshta edhe më shumë.
Gjithashtu presim zgjidhje edhe për instruktorët që presin me muaj për ri-licencim, pa pasur nevojë, ngase në regjion ri-licencimet bëhen përmes mbajtjes së seminareve, sikurse edhe e ligjëruesve, të cilëve për ri-licencim, me nenet e lartpërmendura, u kërkohet të vijojnë edhe një fakultet shtesë pas 20 viteve përvojë pune në këtë profesion.
……………………………..
(Autorja është ligjëruese-instruktore në auto-shkollë)