Kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hiristijan Mickovski, në brifingun e sotëm me gazetarë, deklaroi se po hap aferën “Mafia 2” e cila ka të bëjë me përgatitje dhe dhënie të dokumenteve personale personave të njëjtë me numra të ndryshëm amë në Maqedoni.

“Në këtë aferë mund të shihet se persona të njëjta kanë nga dy numra amë. Sipas informacioneve që na kanë arritur në Maqedoni ekzistojnë 20 mijë persona që kanë së paku nga dy numra. Një person me dy numra amë dy herë gjendet në listën zgjedhore. Me identitet të dyfishtë personat mund t’i keqpërdorin institucionet shtetërore, banat”, tha Mickovski.

Ai përmendi shembull ku personi Dime Dimovski ka dy numra amë, ku dallojnë vetëm tre numrat e fundit. Me një numër ai është regjistruar në Çair, kurse me tjetrin në Saraj. Ose Xhadin Ademovski, me një numër është regjistruar në Saraj, kurse me numër tjetër në Çair.
Mickovski pyeti se si është e mundur një gjë e tillë, kur në vitin 2016 regjistri zgjedhor është pastruar. Prandaj ngriti dyshime se afera është realizuar vitet e kaluara, kur ministër i punëve të brendshme ishte Oliver Spasovski.