Nga albanologu suedez Ullmar Qvick
Përktheu: Tiron Papraniku

Mbi librat ‘Shtëpia e mjegullës’ dhe ‘Namatisje – Refleksione’ të autores Gladiola Jorbus

Shtëpia e mjegullës
Shkrimtarja shqiptare Gladiola Jorbus vjen me një novelë të gjatë 50 faqesh. Ajo më nderoi me praninë e saj më 31 mars, në bibliotekën e qytetit Norrköping, në ditën time të shënuar për mirënjohje 50 (apo ishin 70) vjeçare, për angazhimet e mia në gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Që atëherë, Gladiola ka marrë pjesë në një bursë në regjionin Bohuslän të Suedisë dhe më pas shkroi novelën e përmendur më sipër, të cilën unë tanimë e kam lexuar germë pas germe.

Është një tregim pjesërisht tragjik rreth një burri despotik dhe gruas së tij engjëll në sensin e sakrifikimit dhe aftësisë të saj të të mbijetuarit, ndaj dhunës fizike dhe psikike nga i shoqi – duke e manifestuar atë përmes dashurisë së saj, ndaj djalit Diomedit.

Nëna Athina ëndërron që një ditë të arrijë në Suedi, larg Ulpianit mizor. Ajo këtë nuk e arrin dot ta bëjë, ndonëse djali i saj arrin të kryejë shkollën në Goteborg.

Përshkrimet e Suedisë në letërsinë shqiptare përmbajnë një rëndësi të veçantë për ne, gjithmonë duke pasur paraardhësit e Gladiolës si Faik Konica, Vedat Kokona dhe Sterjo Spase nga kohët e vjetra si dhe miqtë tanë të rinj, pa përmendur emra, të cilët sot përcjellin emocionet e Suedisë drejt bashkëkombasve të tyre.

Do të pasqyroj një imazh timin nga novela me një interpretim timin.
”Diomedi rri dhe flet me shoqen e tij të fëmijërisë Arba, ku në çast shfaqet i dashuri i saj, suedezi Björn.
”Bjorni iu bashkëngjit dy miqve të vjetër dhe porositi një filxhan të madh me kafe. Ai kishte blerë ca kuleçë me kanellë dhe i vendosi ato, sipër tavolinës me kujdes.
Fika, – tha ai duke buzëqeshur. (Autorja përdor këtu nocionin suedez fika, shënimi im). Fika [ngjason me nocionin shqiptar zemër, sh.p], kjo traditë e bukur suedeze e të pirit kafe me miqtë, farefisin, kolegët apo anëtarët e familjes e cila përmban jo vetëm të pirin e kafesë, por kultivon dhe jetën e tyre shoqërore.
Fika bëhet në çdo kohë, në mëngjes, pasdite ose në mbrëmje. Bëhet në shtëpi a në punë, në kafeteri dhe kudo tjetër, me biskota e pa to; është pra ky një moment i mirëpritur për të gjithë”.
Dhe pikërisht fika, kjo traditë aq e dashur për ne suedezët arrin dhe merr vend në letërsinë shqiptare. Vërtet mirë !

Namatisje – Refleksione
Një libër i çmuar me një frymë demokratike. Brenda 145 faqeve të këtij libri gjejmë mençuri, dashuri njerëzore, probleme sociale dhe morale. Gladiola është një zë për të drejtat e grave, një zë i kulturuar dhe i butë, i kthyer në forcë. Më pëlqen shumë ky libër.

Ullmar Qvick – një ndër figurat më të rëndësishme dhe më të përkushtuara pas kulturës e gjuhës shqipe. Ai i ka kushtuar një jetë të tërë muzikës, mbledhjes së fjalëve e çështjeve të ndryshme që kanë lidhje me albanologjinë, si dhe ka qenë një nga miqtë më të mirë të Robert Elsie – t. Ullmar Qvick konsiderohet një albanolog i mirënjohur, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe si dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas.
Ullmar Qvick ka përcjellë në gjuhën suedeze poetë si Zef Serembe, Migjeni, N. Papleka, D. Agolli, F. Arapi, I. Kadare dhe shumë të tjerë. Në fondin e tij të përkthimeve, tashmë renditet dhe emri i poetes Gladiola Jorbus.