Ushtruesja e detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se dialogu duhet të rinisë me parime të qarta dhe me unitet brenda spektrit politik.

“Ky është një proces që ka filluar shumë që një kohë shumë të gjatë, por që definitivisht duhet të ketë një rifillim me parime të vendosura qartë dhe me unitet brenda spektrit politik të Kosovës. Është kompetencë e Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe së shpejti pritet që Qeveria ta prezantojë qëndrimin e saj në raport me dialogun. Ne në Kuvendin e Kosovës mbesim të përkushtuar që në çështjet e dialogut, dhe jo vetëm, si shumicë të ngrisim grupet punuese dhe të kemi një kompromis. Një mori temash që kanë mbetur nga legjislatura në legjislaturë nuk kanë arritur të përmbyllen apo as të fillojnë të trajtohen”.

Kusari-Lila, në adresimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë se pozita dhe opozita duhet ta shtjerrin debatin dhe të dalin me një qëndrim të përbashkët për çështje të rëndësisë nacionale, si çështja e dialogut me Serbinë.

“Ne si kuvend bashkë me qeverinë duhet të arrijmë konsensusin me opozitën për çështjen e strategjisë së energjisë, arsimit dhe tema të tjera që e tejkalojnë jetën e një mandati të qeverisë dhe efektet janë shumëvjeçare. Shpresoj që kjo legjislaturë dhe qeveri të fillojë me ngritjen e një debati, dhe konsensusi, që deri në shtjerrje do të vazhdojë në Kuvendin e Kosovës bashkë me opozitën dhe të dalim me qëndrime të përbashkëta”.

“Prej vitit 2011 janë ndërruar disa qeveri, kryeministra dhe kryetarë shteti dhe tema mbetet e njëjtë. Për të evituar çfarëdo pasoje për të ardhmen dhe ato që i ka në politikën e brendshme në vazhdimësi duhet uniteti politik”./Klan Kosova

Comments are closed.