Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka nxitur reagime të shumta pasi e fajësoi mënyrën se si gratë vishen për rastet e dhunës seksuale.

Sipas tij, rritja e shpejtë e numrit të rasteve të dhunimit seksual tregon, siç u shpreh Khani, pasojat në çdo shoqëri ku vulgariteti është në rritje, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

I shkolluar në Oksford, politikani 68-vjeçar i këshilloi gratë që të mbulohen për ta parandaluar joshjen seksuale të meshkujve.

“I tërë koncepti i purdas (mbulimit të trupit) është që të shmanget joshja, jo të gjithë kanë vetëkontroll për ta shmangur atë”, deklaroi presidenti i shtetit me mbi 208 milionë banorë.

Sidoqoftë, kur ishte më i ri, ish-lojtari i kriketit nuk ishte i panjohur për gratë e veshura me rroba të shkurtra apo të hapura. Ai madje merrte pjesë në klube nate të VIP-ave gjatë kohës kur jetonte në Londër.

Dikur student, ai kishte dalë në takim me njohësen e modës dhe gazetaren, Susannah Constantine, para se të martohej me Jemima Goldsmith-in më 1995.

Komisioni i Pakistanit për të Drejtat e Njeriut, vëzhgues i pavarur i të drejtave, tha të martën se është i shokuar nga komentet e presidentit.

Pakistani është shtet me prirje të fuqishme konservatore, ku viktimat e dhunimit seksual shpesh shikohen me dyshime, ndërsa ankesat në organet e drejtësisë rrallë shqyrtohen seriozisht.

Një pjesë e madhe e vendit jeton sipas “kodit të nderit”, ku gratë që e sjellin “turpin” në familje mund të jenë viktima të dhunës dhe vrasjes.