Japonia ka bërë të ditur se do të ketë masa të reja në Tokio dhe në tre zona të tjera për të parandaluar përhapjen e COVID-19, vetëm tre muaj para se atje të fillojnë Lojërat Olimpike.

Qeveria ka bërë të ditur se gjendja e jashtëzakonshme është vendosur të zgjasë për dy javë, sipas tyre kjo është e shkurtër por edhe e fuqishme.

Sipas këtyre masave, baret do të kërkohet të mbyllen dhe ngjarjet e mëdha sportive do të mbahen pa spektatorë.

Qeveria ka këmbëngulur që Lojërat Olimpike të vazhdojnë të mbahen në korrik, transmeton Klan Kosova, shkruan BBC.

Kryeministri Yoshihide Suga deklaroi se masat do të fillojnë të hyjnë në fuqi nga e diela dhe do të zgjasin deri në 11 maj. Përpos Tokios, këto masa do të jenë edhe për Osaka, Kyoto dhe Hyogo.

Kjo është gjendja e tretë e jashtëzakonshme në Japoni që nga fillimi i pandemisë.

“Unë sinqerisht kërkoj falje për shkaktimin e problemeve për shumë njerëz”, ka thënë Suga, në një konferencë për media këtë të premte.