Pjetër Shala, i arrestuar disa javë më parë, është transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë pasi të njëjtit i është konfirmuar aktakuza.

Më 16 mars 2021, autoritetet e Belgjikës në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë arrestuar Pjetër Shalën në Belgjikë.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, e ka konfirmuar aktakuzën kundër Shalës më 12 qershor 2020.

Aktakuza e konfirmuar e redaktuar tashmë është bërë publike, derisa për arsye sigurie Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Krimet për të cilat akuzohet Pjetër Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në Fabrikën e Metalit në Kukës (Shqipëri) që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.