Kuvendi sot do ta vazhdojë seancën e 39-të, ku në rend të ditës janë më shumë ligje në sfera të ndryshme.

Deputetët dje pasdite debatuan për Propozimin për emërimin e anëtarit të Komisionit rregullator për energjetikë dhe shërbime ujore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Votimi për këtë pikë në mënyrë shtesë do të caktohet.

Deputetët nga pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrime të kundërta për propozimin që Andrej Tasev të bëhet anëtar i KRRE-së.

Në rend të ditës së seancës së 39-të janë më shumë propozim-vendime për shpalljet publike dhe emërimin e anëtarëve në më shumë institucione, si Këshillin e Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale mediatike, Këshillin programor të Radio Televizionit të Maqedonisë, Komisionit shtetëror për ankesa për prokurime publike, Komisonit të Agjencisë për komunikime elektronike…

Deputetët do të debatojnë edhe për Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për tatim të fitimit, për Propozim-ligjin për shpalljen e Malit Sharr për Park kombëtar, si dhe për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për shërbim në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjitha në lexim të parë.

Si pikë e fundit, e 31-të, në rend të ditës është interpelanca për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, të parashtruar nga një grup i deputetëve.