Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur ngushëllime për vrasjen e Bashkim Brahimajt, viktima i cili dyshohet se u vra nga një i afërm për çështje pronësore. Rasti ndodhi në Novosellë të Pejës.

Haradinaj ngushëllimet ia ka shprehur familjes dhe bashkëluftëtarëve të tjerë të viktimës nëpërmjet ‘Facebook’-ut, teksa ka shpërndarë një fotografi të tijën në uniformë të UÇK’së.

“I pikëlluar nga lajmi për vdekjen tragjike të bashkëluftëtarit Bashkim Brahimaj. Duke u lutur që të mos përsëriten kurrë më tragjedi të tilla, ndajmë dhembjen me familjen dhe bashkëluftëtarët! Bashkimi u prehtë në paqe!”, thuhet në postimin e tij.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur për Gazetën Express, se dyshohet se dorasi ishte i afërm i viktimës.

Tutje, Nikçi, tha se i dyshuari aktualisht është në arrati dhe organet kompetente po bëjnë përpjekje ta arrestojnë

“Njësitet relevantë kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Pejë. Dyshohet se një person me armë zjarri është privuar nga jeta. Dyshimet fillestare janë se vepra është kryer nga një i afërm i viktimës. I njëjti është në arrati dhe organet kompetente po bëjnë përpjekje për ta arrestuar”, ka deklaruar ai.

Policia ka njoftuar vrasja ka ndodhur gjatë ditës, ndërkohë që njoftimi i policisë është bërë rreth orës 14:00.

“14:40 minuta policia është njoftu për një vrasje në fshatin Novosellë. Me të arritur policia ka hasur në një trup të shtrirë dhe është kërkuar emergjenca e spitalit, mjeku e ka konstatuar vdekjen e tij”, thuhet në njoftimin e tyre.