Kryeministri francez Jean Castex detajoi sot kalendrin për lehtësimin gradual të masave të marra për të luftuar pandeminë, me kufizimet në lëvizje që do të hiqen gjatë ditës duke filluar nga 3 maji, si edhe me rihapjen e bizneseve jothelbësore rreth mesit të majit.

“Kulmi i valës së tretë të epidemisë duket pas nesh, me një rënie të vërtetë të qarkullimit viral për dhjetë ditë”, tha Castex në një konferencë shtypi.

“Franca gjithashtu ka arritur majën e valës së shtrimeve në spital dhe ne mund të shpresojmë për fillimin e një zbritjeje brenda pak ditësh”, shtoi ai, raporton ATSh.

Kryeministri theksoi s e lista e lehtësimeve nuk është e fiksuar përfundimisht, ajo do të shoqërohet nga kushte të veçanta, nëse është e nevojshme territoriale, të cilat do të evoluojnë nëpër faza.

Në lidhje me shkollat, fillimi i vitit shkollor do të jetë ashtu siç është planifikuar: nga e hëna 26 prill në çerdhe dhe shkolla fillore, kurse nga 3 maj për nxënësit e shkollave të mesme dhe larta.

Epidemia COVID-19 duket se është në rënie në Francë, por shumë ekspertë shëndetësorë paralajmërojnë për brishtësinë e rënies, duke qenë se edhe presioni në sistemin shëndetësor mbetet i fortë, me 30 634 pacientë të shtruar në spital, përfshirë gati 6 000 në kujdes intensiv, sipas shifrat e fundit.