Profesorë të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, më 20 prill 2021, përmes komunikimit online i kanë promovuar programet studimore para maturantëve të shkollave të mesme në vendin tonë. Kjo njësi akademike për vitin e ardhshëm 2021/2022 për maturantët e vendit dhe më gjerë ofron programet studimore, si: Arti Figurativ; Arti Muzikor dhe Arti Dramatik.

Stafi akademik i këtij fakulteti: Prof. Ord. Xhelil Rufati, Prof. Ord. Senad Abduli, Prof. Inord. Kushtrim Bekteshi, Prof. Ord. Bajramali Idrizi, Prof. Ord. Fatos Lumani, Prof. Inord. Agron Abduli, Prof. Inord. Nora Halimi, Doc. Dr. Jëlldëz Asani dhe Doc. Dr. Drenusha Memeti –Palloshi, maturantëve –studentëve të ardhshëm ua kanë prezantuar veprimtarinë e përgjithshme arsimore, ecurinë e studimeve dhe mundësitë për të zhvilluar një karrierë të suksesshme artistike.

Maturantët që aspirojnë të regjistrohen në këtë fakultet u informuan se kjo njësi akademike organizon studime themelore dhe studime të ciklit të dytë në disiplina të ndryshme profesionale dhe përgatiten kuadro profilesh të ndryshme nga fusha e arteve. Studimet janë përshtatur me Sistemin e Akumulimit dhe Transferimit të Kredive.
Studimet në këtë shkallë akademike zgjasin katër vjet (tetë semestra), kurse studimet e ciklit të dytë zgjasin një vit akademik (dy semestra).

Të diplomuarit në këtë fakultet janë dëshmuar si bartës aktivitetesh në të gjitha fushat artistike, figurative, muzikore dhe skenike.

Në këtë institucion janë angazhuar mësimdhënës të dëshmuar në planin artistik dhe atë arsimor e pedagogjik.
Regjistrimi i studentëve të rinj në Fakultetin e Arteve, jo vetëm që i kualifikon ata më një diplomë të arsimit të lartë, por u hap rrugën e suksesit, pjesëmarrjes në veprimtari kulturore-artistike në vendin tonë dhe arenën ndërkombëtare.