Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi penale kundër dy personave të punësuar në Agjencinë për Punësim, shkruan Alsat. 48-vjeçari N.M. nga Shkupi dhe 60-vjeçari V.Z. gjithashtu nga Shkupi, dyshohet se si punonjës në Agjencinë për Punësim kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, respektivisht të njëjtit akuzohen për shkelje të nenin 353, paragrafi 1 nga Kodi Penal.

Sipas MPB-së, dyshohet që personat në fjalë prej datës 20.11.2020 deri me datë 20.01.2021 kanë nënshkruar 14 formularë për një kompani, me çka kanë legalizuar qëndrimin dhe punën e paligjshme të gjithsej 87 shtetasve të huaj në territorin e vendit. Si rrjedhojë, kompanisë i është mundësuar që t`i shmanget tatimit për punëtorët në vlerë prej rreth 9.600 eurove, gjegjësisht 593.056 denarëve.