Pasditën e së hënës pritet të arrijë kontingjenti prej 10 mijë vaksinash të llojit Pfizer. Autoritetet shëndetësore presin që porosia dytë me 10 mijë doza të vijë një javë më vonë, përkatësisht më 26 prill.
Kura e prodhuesit amerikano-gjerman vjen përmes Sofjes me aeroplan, por shteti fqinjë shërben vetëm si logjistikë transporti, pasi që furnizimi këtyre vaksinave është bërë përmes blerjes direkt. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se deri në fund të muajit prite të vijnë edhe 200 mijë vaksinat tjera, në mënyrë që procesi imunizimit të vazhdojë pa ndërprerje.

Vaksinat e prodhuesit Pfizer&BioNtech pritet të arrijnë në vend në orët e pasdites së sotme. Të njëjtat do të vendosen në sistemin e vaksinimit dhe do të jenë të destinuara për të gjithë qytetarët, të cilët vaksinohen në bazë të grupmoshës që i përkasin, në përputhje me Planin kombëtar të imunizimit – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Përderisa sigurimi i vaksinave nuk është më problem i ditës, çështja tjetër mbetet sensibilizimi i qytetarëve për t’u paraqitur vullnetarisht për vaksinim. Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë Dejan Dokiç tha se Plani kombëtar për imunizim mund të pësojë disa ndryshime varësisht si paraqiten qytetarët vullnetarë.

Plani i Ministrisë së Shëndetësisë është bërë deri në muajin gusht, d.m.th. çdo muaj do të arrijë nga një kontingjent duke pasur vazhdimësi. Pastaj procesi do të varet nga pacientët, përkatësisht qytetarëve që vetë do të paraqiten dhe nëse do të vijnë në terminët e paracaktuara për vaksinim. Vlerësoj se varësisht nga numri i vaksinimit mbase plani do të pësojë disa ndryshime, sidoqoftë grupet e moshuara janë në prioritet për t’u imunizuar ashtu siç do të jenë edhe ata me profesione që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me grupe të mëdha të qytetarëve – tha Dejan Dokiç, drejtor në Klinikën e Pulmologjisë.

Deri sot janë vaksinuar rreth 39 mijë qytetarë. Prej tyre afër 14 mijë kanë marrë dozën e llojit AstraZeneca. Nga kjo vaksinë kanë mbetur më pak se 10 mijë doza që do të injektohen në vazhdim, diçka më pak se 3 mijë doza ka nga vaksina ruse Sputnik V, ndërsa nga vaksinat kineze Sinovac janë edhe 1 mijë vaksina. Numri i të paraqiturve vullnetarisht për vaksinim ka arritur mbi 177 mijë.

Adnan Qaili