Rreth gjashtëdhjetë shtete, përfshirë disa nga vendet më të varfra në botë, mund të mbesin pa doza të vaksinave për Covid-19 për shkak se gati të gjitha dërgesat përmes programit COVAX do të jenë të bllokuara deri në qershor, raporton gazeta britanike, The Guardian.

COVAX-i, program botëror për t’i furnizuar me vaksina shtetet me të ardhura të ulëta, ka dërguar mbi 25.000 doza vetëm dy herë në javë pothuajse u ndërprenë tërësisht që nga e hëna,

Sipas të dhënave ditore të përpiluara nga organizata UNICEF, gjatë dy javëve të kaluara, më pak se dy milionë doza të vaksinave nga programi COVAX ishin të gatshme për dërgim në 92 shtete. Kaq vaksina janë dhënë vetëm në Britaninë e Madhe.

Përderisa mungesa e vaksinave është shkaktuar kryesisht për shkak të vendimit të Indisë për ndërprerjen e eksportimit të dozave nga fabrika e Institutit “Serum”, që e prodhon shumicën e dozave të vaksinës së AstraZeneca-s, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dha kritika për atë që e quajti “pabarazi shokuese” në programin botëror të vaksinimit kundër Covid-19.

Megjithatë, pasi programi COVAX shpërndan vetëm vaksina të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që deri më tani janë vaksinat e kompanive AstraZeneca, Pfizer dhe Johnson & Johnson, OBSh-ja po nxitet që ta shqyrtojë përshpejtimin e miratimit të vaksinave nga Kina dhe Rusia, të cilat ende nuk janë autorizuar në Evropë apo Amerikë Veriore.