Shpesh shohim prindër të pakujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre, por dy gra që janë fotografuar duke ecur nëpër hekurudhë vështirë se mund të kenë konkurrencë në këtë aspekt.

Policia britanike publikoi një fotografi të dy grave duke ecur nëpër hekurudhë. Njëra mbante për dore një fëmijë, ndërsa tjetra shtynte një karrocë. Autoritetet i cilësuan këto gra si tërësisht të papërgjegjshme.

Deputetët lokalë dhe përdoruesit e rrjeteve sociale i kritikuan ashpër këto gra, pasi u kuptua se hekurudha e paraqitur në fotografi është aktive dhe përdoret ende, shkruan Daily Mail.

Deputeti për rajonet Keighley dhe Ilkley, Robbie Moore, e shpërndau fotografinë e grave në Facebook, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos kalojnë nëpër binarë. “Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe tërësisht e papërgjegjshme që të inkurajohen fëmijët për të ecur nëpër hekurudhë”, shkroi ai.

Policia e transportit u bëri thirrje të gjithë njerëzve që shohin sjellje të tilla që t’i raportojnë ato tek autoritetet e sigurisë dhe i inkurajoi prindërit që t’u flasin fëmijëve të tyre rreth rrezikut të ecjes nëpër hekurudhë.