Homazhe me të shtëna armësh do të mbahen sot rreth Britanisë së Madhe, Gjilblartarit dhe nga luftanije në det, për bashkëshortin e Mbretëreshës Elizabetë, princin Filip, i ndarë nga jeta të premten në moshën 99-vjeçare.

Siç bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes, nga ora 12:00 e mesditës do të qëllohet 41 herë në qytete si Londra, Edinburgu, Kardif dhe Belfasti. Anijet e Marinës Mbretërore do të përshëndesin gjithashtu me armë Dukën e Edinburgut, i cili ka shërbyer si oficer i marinës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Homazhet do të shfaqen online dhe në televizion dhe publiku inkurajohet t’i shohë nga shtëpia. Detajet lidhur me funeralin e Princit Filip pritet të bëhen të ditura gjatë orëve në vazhdim. Ceremonia mortore do të zhvillohet javën e ardhshme në Kapelën e Saint Xhorxh të Winsdor, me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të pandemisë.

Sipas vullnetit të tij, Duka nuk do të ketë një funeral shtetëror dhe pjesëtarëve të publikut u kërkohet të mos marrin pjesë.

Flamujt në godinat qeveritare do të qëndrojnë në gjysmë shtizë deri në ditën e varrimit. Gjithashtu këmbana e Abacisë së Wenstminster do të bjerë 99 herë çdo 60 sekonda, për të nderuar çdo vit të jetës së Dukës.