Gjatë kohës së përballjes të krizës më të madhe ekonomike të shekullit të fundit, me rëndësi të veçantë për rimëkëmbjen e ekonomisë është krijimi i sinergjisë – përkatësisht të investohet në “projekte të gjelbëra”, të cilat do të kenë efekt pozitiv dhe në zhvillimin ekonomik dhe mjedisin jetësorë. Këtë e deklaroi Ministri i Financave Fatmir Besimi, i cili sot së bashku me përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) Andi Aranitasi dhe Kryetarin e Komunës së Qytetit të Shkupit Petre Shilegov nënshkruan marrëveshjen për financimin e projektit “Transporti i shpejtë me Autobusë” me vlerë 70 milion euro. Në këtë ngjarje morri pjesë edhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Bochvarski.

– Kur iniciativat për krijimin e ekonomisë “së gjelbër” më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme do të përputhen me përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike nga kriza e kovidit, përfitimet për ekonominë e Maqedonisë do jenë të shumëfishta. Gjatë këtij viti dhe në vazhdim, do të investojmë në projekte që do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor, do ta lehtësojnë transportin, do të kontribuojnë në kursimin e kohës dhe burimeve të energjisë, do të mundësojnë rritje të investimeve dhe vendeve të punës, si dhe do të sjellin përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë. Si ministër i Financave e përkrah bashkëpunimin ndërkombëtar, i cili do ta ndihmojë të ashtëquajturin “tranzicion i gjelbër”, ndërsa ky projekt është pjesë e këtij plani të madh. Gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme duhet të kenë mundësi që të thithin ajër më të pastër dhe të udhëtojnë në mënyrë më të shpejt dhe më të sigurt, tha Besimi.

Projekti përfshin vendosjen e dy linjave të transportit me autobusë me korridore të dedikuara vetëm për autobusët, nga Gjorçe Petrov në Novo Lisice dhe nga Buteli në Kisella Vodë. Rruga nga Gjorçe në Novo Lisice do të jetë në një drejtim prej 12,80 km, dhe do të ketë 21 stacione, dy terminale në zonën industriale në Gjorçe Petrov dhe në vendbanimin e Novo Lisice, ku do të ndërtohet terminali i ri.

Sipas vlerësimeve fillestare, numri i përgjithshëm i udhëtarëve që do të përdorin këtë trase është rreth 65 mijë njerëz në nivel ditor Me zbatimin e fazës së parë, koha e udhëtimit nga 70 minutat aktuale, pritet të ulet me më shumë se 50 përqind.

Kredia nga BERZH prej 70 milion euro do të jetë në dy transhe. Transha e parë në vlerë prej 47.6 milionë euro për financimin e linjës 1 – nga lindja në perëndim dhe transha e dytë në vlerë prej 22.4 milionë euro për financimin e linjës 2 nga jugu në veri.