Sot janë bërë 21 vjet që nga koha kur Angela Merkel u emërua kryetare e partisë Bashkimi Demokristian i Gjermanisë (CDU), kështu duke u bërë gruaja e parë që e drejton këtë subjekt politik.

E lindur në Hamburg të Gjermanisë Perëndimore, ajo së bashku me prindërit e saj u shpërngulën në Templin të Gjermanisë Lindore për arsye religjioze, shkruan Klan Kosova.

Karrierën politike e nisi pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, duke u bashkuar me Zgjimin Demokratik të sapo themeluar ku në shkurt të vitit 1990 u bë edhe zëdhënëse e shtypit. Atë muaj partia të cilës i takonte u bashkua me Aleancën Konservatore për Gjermaninë, një koalicion me Bashkimin Social Gjerman (DSU) dhe Bashkimin Demokristian (CDU).

Merkel kaloi në CDU në gusht të vitit 1990, e cila parti u bashkua me partinë simotër nga ana perëndimore më 1 tetor – një ditë para ribashkimit të Gjermanisë. Kryetare e partisë u zgjodh më 10 prill të vitit 2020 dhe u bë gruaja e parë dhe e para jo-katolike që drejtoi CDU-në.

Megjithëse kishte shpresuar të nominohej si kandidate për kancelare në zgjedhjet 2002-tës, një shumicë e partisë së saj kishte shprehur preferencën për Edmund Stoiber nga Unioni Social Kristian (CSU) – partia motër kjo e CDU-së në Bavari. Por, pasi CDU-CSU humbi zgjedhjet, Merkel u bë udhëheqëse e opozitës.

Prej kësaj periudhe ajo jo vetëm që arriti të bëhet kancelare e Gjermanisë, por nga shumë konsiderohet edhe si lidere e pakontestueshme e Bashkimit Evropian – madje edhe si “lidere e botës së lirë”.

Mandati i parë 2005 – 2009: Koalicioni CDU – SPD

Më 22 nëntor të vitit 2005, Merkel mori detyrën e kancelares së Gjermanisë pas një zgjidhje të ngërçit politik që rezultoi në një koalicion të madh me SPD-në. Në një fjalë rasti, Merkel deklaroi se qëllimi kryesor i qeverisë së saj do të ishte ulja e papunësisë dhe se ishte kjo çështje mbi të cilën do të gjykohej qeveria e saj.

Mandati i dytë 2009 – 2013: Koalicioni CDU – FDP

CDU u rizgjodh në vitin 2009 me një numër të shtuar vendesh dhe mund të formonte një koalicion qeverisës me FDP-në. Gjatë këtij mandati ajo ishte ballafaquar me krizën evropiane që njihet si kriza e borxhit. Ajo me ekipin e saj kanë bërë që të bie numri i papunësisë nën nivelin e 3 milionë njerëzve të papunë.

Mandati i tretë 2013 – 2017: Koalicioni CDU – SPD

Në zgjedhjet e shtatorit të vitit 2013, Merkel korri një nga fitoret më vendimtare në historinë gjermane, duke arritur rezultatin më të mirë për CDU/CSU që nga ribashkimi i Gjermanisë.

Sidoqoftë ajo e humbi një pjesë të elektoratit për shkak të asaj që njihet si kriza evropiane e emigrantëve. Sipas një sondazhi të kryer pas disa sulmeve terroriste në Gjermani, gjysma e gjermanëve nuk dëshironin që ajo të shërbente për një mandat të katërt.

Mandati i katërt nga viti 2018: Koalicioni CDU – SPD

Megjithatë në zgjedhjet e vitit 2017, partia e Merkel sërish korri fitore. CDU/CSU dhe SPD morën një përqindje dukshëm më të ulët të votave në krahasim me atë të zgjedhjeve të vitit 2013, andaj edhe u përpoqën ta formojnë një koalicion me FDP dhe të Gjelbrit, por nuk pati sukses. Pastaj Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier bëri thirrje për SPD-në për të ndryshuar qëndrimin e tyre të ashpër dhe për të rënë dakord për një koalicion të tretë të madh me CDU/CSU.

Kabineti i katërt i formuar i Angela Merkel është qeveria aktuale e Gjermanisë që nga data 14 mars 2018. Negociatat që çuan në një marrëveshje për koalicionin e madh me Social Demokratët (SPD) ishin më të gjatat në historinë gjermane të pasluftës, që zgjatën gati gjashtë muaj.

Një sondazh i realizuar gjatë verës së vitit 2019, rezultoi se 67 për-qind e gjermanëve dëshironin që Merkel të qëndronte deri në fund të mandatit të saj; ndërsa vetëm 29 për-qind donin që ajo të largohej më herët.

Mandati i saj përfundon në vitin 2021. Në një televizion gjerman ajo ka treguar se nuk synon të garojë sërish për postin e kancelarës.

Se kush do të veshë petkun drejtues të saj ende nuk dihet, por e qartë është se Merkel do të mbetet në histori si kancelarja e parë grua e Gjermanisë e cila e udhëhoqi vendin e saj dhe Bashkimin Evropian gjatë sfidave të shumta me të cilat u përball kontinenti në dy dekadat e fundit.