Sot po mbahet ceremonia e zbarkimit të kontigjentit të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit, njofton Klan Kosova.

Ushtruesja e detyrës Vjosa Osmani, gjatë fjalës së saj tha se ndihet krenare që e ka nënshkruar autorizimin për këtë mision dhe se ushtarët nuk do të jenë vetëm paqeruajtësit tanë të parë por edhe ambasadorë të paqes dhe imazhi i shtetit të Kosovës.

“Ndihem e nderuar sot që në cilësinë e Komandantes Supreme të FSK-së, të jemi këtu bashkë me ju në përcjelljen e kontigjentit të parë paqeruajtës të forcës sonë për në shtetin e Kuvajtit. Mesazhi për të cilin kam ardh këtu për ta dhënë në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, në këtë ditë historike për shtetin tonë, është shumë i thjeshtë. Kam ardh t’ju them Zoti ju ruajt dhe faleminderit”.

“Ndihem krenare që kam nënshkruar autorizimin për këtë mision. Ky mision gjashtëmujor i ushtarëve tanë po bëhet i mundshëm falë partneritetit me SHBA, respektivisht me ushtrinë amerikane, ndaj paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik. Këta djem që po i përcjellim sot, së shpejti edhe vajza, do të jenë nderi dhe krenaria jo vetëm e jona por edhe partnerit tonë strategjik SHBA”.

“Ky kontigjent që po e dërgojmë në shtetin e Kuvajtit, është i vogël në numër por i madh në përmbajtje. Këta djem po e shkruajnë historinë e re të Forcës sonë. Sot Forca jonë po merr rol në sigurinë dhe paqen globale. Me aleatët tanë ushtarak na bashkojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. Këta djem janë edhe djemtë tuaj, misioni juaj është edhe mision i yni. Është paqja dhe besimi në vlerat e përbashkëta që na bëri bashkë dhe ato do t’i bëjmë të mundshme”.

“Siç e keni dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi. Ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tonë por edhe ato të SHBA-së dhe të aleatëve të tjerë, kushdo që kërcënon SHBA-të dhe aleatët tanë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Në Kosovën tonë, Amerika dhe aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”.

“Ju po niseni drejt një sakrifice të re e cila nuk do të jetë vetëm e juaja por edhe familjeve tuaja dhe gjithë shtetit. Do të ndihemi krenar me ju. Ky proces parashihet të zgjasë tetë vjet ndaj ky mision do të jetë edhe në funksion të testimit të kapaciteteve. S’kam dyshim se përgatitja taktikofizike dhe operacionale e ushtarëve tanë do të jetë në nivelin më të lartë. Ushtarët tanë nuk do të jenë vetëm paqeruajtësit tanë të parë por edhe ambasadorë të paqes, do të jenë imazhi i shtetit tonë, mburrja dhe krenaria jonë”.

Në fund, Osmani iu uroi suksese ushtarëve.

“Valviteni lart e më lart e me krenari flamurin tonë të dashur. Suksese dhe u kthefshi faqebardhë e shëndosh. Zoti ju bekoftë të gjithëve, Zoti bekoftë Kosovën dhe SHBA-të”, tha ajo.