Jo vetëm përgjegjësi penale por zyrtarët e lartë shtetërorë duhet të mbajnë edhe përgjegjësi morale dhe politike. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se dorëheqjet nuk janë pjesë e kulturës politike në vend, gjë që nxitë përsëritjen e skandaleve sikurse ai i zhdukjes 40 orëshe të Mijallkovit, më herët arratisja e Gruevskit dhe të akuzuarve të tjerë. Nuk ka përgjegjësi as kur bëhet fjalë për shkeljet e ligjit dhe rastet e korrupsionit në nivel të lartë.

“Në botë shohim se ministrat japin dorëheqje sepse kanë blerë çamçakëza apo pelena me kartelë zyrtare. Tek ne nuk ka përgjegjësi për shkelje të mëdha të së drejtës, as për paaftësi në mbrojtjen nga pandemia e as për shkelje që përfundojnë me ikje të njerëzve, si Mijallkov, Gruevski”, tha Mrijana Najçevska, profesore.

Dorëheqjet, si akte që simbolizojnë moralin në politikë nuk ndodhin në vendin tonë, për shkak se funksionarët nuk e dinë definicionin e pozitës që mbajnë, nuk i dinë të drejtat dhe detyrimet e tyre, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike. Profesorja, Mirjana Najçevska është e prerë se funksionarët duhet të mbajnë përgjegjësi morale, politike e penale. Sipas saj, nuk duhet të ketë njerëz të paprekshëm, pasi pandëshkueshmëria shkakton përsëritje të rasteve dhe korrupsion.

“Nuk e kuptojnë se me marrjen e funksionit ata bëhen përgjegjës për gjithë institucionin, për funksionimin e institucionit, për zgjedhjen e njerëzve që vijnë në pozita të caktuara dhe automatikisht me këtë, edhe për shkeljen e ligjeve. Pra, përgjegjësia është fillimisht personale, por edhe institucionale”, theksoi Mrijana Najçevska, Profesore.

Komunikologu Bojan Kordallov thotë se dorëheqjet te ne ndodhin vetëm kur i kërkojnë liderët e partive.

“Theksi duhet të vihet në gjetjen e përbashkët të mënyrës se si të ndërtojmë sistem të dënimit, nuk flas për përgjegjësinë penale, por atë politike dhe morale. Si të ndërtojmë vlerë në të cilën vetë funksionarët do të kuptojnë se para së gjithash vlen integriteti i tyre, jo ajo që lideri i partisë do ta kërkojë ose nuk do ta kërkojë prej tyre”, pohoi Bojan Kordallov, Komunikolog.

Ekspertët vlerësojnë se po të kishim demokraci normale shumë funksionarë do të kishin dorëzuar dorëheqje të parevokueshme e të menjëhershme për skandale të mëdha, si: ikja e ish kryeministrit, Nikolla Gruevski apo zhdukja rreth 40 orëshe e ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov, mos-fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkelja e masave për mbrojtje nga pandemia dhe vonesat e vaksinave, për rastin e Lagjes së Trimave, Tamarës, Martin Neshkovskit, Almirit dhe shumë raste të tjera. Historia politike e Maqedonisë së Veriut njeh shumë pak, për të mos thënë aspak vendime individuale e të sinqerta përgjegjësie të funksionarëve të lartë.

Anesa Salihu