Situata e këtyre ditëve në Republikën Demokratike të Kongos, veçanërisht në kufijtë lindorë me Ruandën, është pothuajse e pakontrollueshme. Pak ditë më parë, ai cep i Afrikës, i njohur nga opinioni publik kryesisht për parkun e Virungës, ku ndodhen gorillat e malit protagonistë të disa filmave dhe dokumentarëve, u kthye në kryefjalën e ambienteve diplomatike botërore për shkak të atentatit ndaj ambasadorit italian, Luca Attanasio, i vrarë së bashku me një karabinier dhe shoferin e tij.

Por, dje autoritetet e krahinës lindore, që në fakt kontrollojnë shumë pak nga zona kufitare, e karakterizuar nga një xhungël e dendur dhe e kontrolluar nga forca rebele, deklaruan se po në atë rrugë, pak kilometra më tutje, ishte vrarë edhe kryeprokurori ushtarak i asaj province, William Hassani.

Sipas burimeve lokale, Hassani ishte një nga personat që po hetonte dinamikat e vrasjes së diplomatit italian, dhe lidhja mes dy krimeve duket shumë e mundur.

Sipas autoriteteve, vrasja e prokurorit dhe plagosja e të paktën 12 personave që e shoqëronin është kryer nga elemente tashmë rebele të divizionit 3416 të ushtrisë, që më shumë se të kontrollojnë territorin, bëjnë ligjin duke bastisur fshatrat dhe mjetet që kalojnë në atë zonë, që deri pak muaj më parë deklarohej si e sigurt./A2CNN