Vathë, unaza e qafore prej ari shpeshherë janë zgjedhje për dhurata, por edhe për ceremoni martesore. Sidoqoftë 2020-a, ani pse pati krizë ekonomike për shkak të pandemisë, nuk ndikoi në ndryshimin e çmimeve kur bëhet fjalë për arin. Gjatë gjithë kësaj kohe ari ka pasur ngritje çmimi. Por fillimi i 2021-tës e ndryshoi këtë gjë duke pasur rënie të lehtë. Një gjë të tillë e thotë edhe kryetari i Shoqatës së Argjendarëve të Kosovës, Enver Pakashtica.

Përpunimin e arit familja Pakashtica e trashëgon tash e 40 vjet.

Që nga viti 2005, ai thotë se kërkesat për të blerë ari nga qytetarët janë reduktuar. Një gjë e tillë po vërehet më shumë vitin e fundit.

Preferencat e klientëve, sipas tij, dallojnë, disa duan stoli më të thjeshta e disa me gurë më të theksuar.

Krahas dëshirës ndryshon edhe çmimi.

Pakashtica thotë se pandemia në vazhdimësi është duke ndikuar negativisht tek puna e tyre. Kjo ndodh pasi që qytetarët po ngurrojnë që të blejnë stoli në këtë kohë krize. Ndërkohë ai shpreson që të kenë përkrahje nga shteti për të mos falimentuar bizneset e argjendarisë.