Jasharajt e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë sesa veten e tyre. Dashuria, kujdesi e përgjegjësia institucionale ndaj tyre, janë mënyra më e sigurtë që edhe ne ta duam vendin tonë, tha kryeministri në ardhje, Albin Kurti, i cili bashkë me presidenten, Vjosa Osmani, dhe një delegacion të deputetëve, aktivistëve dhe veprimtarëve bëri sot homazhe në Prekaz, në kujtim të ditëve heroike të 5, 6, 7 marsit, që shënojnë edhe fillimin e Epopesë së UÇK-së.

“3 breza, gjithsej 59 vetë, para 23 vjetëve, u flijuan në Prekazin historik për lirinë e Kosovës. Baca Shaban dhe nëna Zahide nga 74 vjeç, daja Osman 54 vjeç, deri te Kushtrimi 13 vjeç, Igballja 11 vjeç, e Blerina vajza e Hamzës 7 vjeç, u sakrifikuan për çlirim, për pavarësinë, për bashkim. Gjysma përafërsisht ishin burra, por gjysma ishin gra dhe fëmijë. Hamza luftoi bashkë me gruan e tij Feridën, Ademi bashkë me gruan e tij Adilën, e bashkëshortja e bacës Rifat, Zarifja, u vra bashkë me vajzat e saj Hidajeten, Valdeten, e Igballen, e me djalin Igballin. Për këtë sulm shtetëror të Serbisë ndaj familjes legjendare Jasharaj, askush nuk është gjykuar, dhe nuk ka pasur asnjë gjykim për këtë krim të Serbisë që dikush të dënohet. Drejtësia është vonuar sepse ajo as nuk ka filluar, prandaj ne duhet të angazhohemi si institucione e si shtet që kjo të ndryshojë. Për hirë të Republikës së Kosovës, për hirë të pasardhësve të Jasharajve, për hirë të së ardhmes të popullit edhe të kombit tonë në përgjithësi. Ne sot me nderim të përjetshëm, përulemi para jetës, veprës, e rënies së Jasharajve, kryekomandantit, Adem Jashari, të cilët e deshën pakrahasimisht më shumë vendin tonë sesa veten e tyre. Dashuria ndaj Jasharajvje, kujdesi e përgjegjësia institucionale ndaj tyre, janë mënyra më e sigurtë që edhe ne ta duam vendin tonë.” (Labinotë Demi Murtezi)