Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, vlerësoi se parakushti kryesor për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit është respektimi i barabartë i të drejtave dhe lirive për të gjithë në Kosovë dhe se siç tha ai “është absurde të zhvillosh një dialog në të cilin Serbia duhet të përmbushë dëshirat e palës tjetër’.

“Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është i rëndësishëm kryesisht për normalizimin e jetës në Kosovë dhe në rajon. Por parakushti kryesor për dialog është respektimi i barabartë i të drejtave dhe lirive për të gjithë në Kosovë, gjë që nuk është rasti’, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.

Sipas tij, çdo zgjidhje e nxituar ose e imponuar që privilegjon në mënyrë të njëanshme njërën palë dhe dëmton tjetrën është në thelb e pazbatueshme dhe e padrejtë.

“Të këmbëngulësh për ndryshimin e kufijve në kundërshtim me Rezolutën 1244 të KB si një parakusht për një marrëveshje është një thirrje e hapur për konflikt të mëtejshëm në të gjithë rajonin”, shkroi Janjiq.

Janjiq potencon se dialogu duhet të vazhdojë me vullnet të mirë dhe të përmirësojë jetën e njerëzve, të mbrojë trashëgiminë e rrezikuar serbe në Kosovë, të ndalojë emigrimin e të rinjve dhe të përmirësojë situatën ekonomike është jetike.

Një zgjidhje e drejtë e situatës në Kosovë, theksoi Janjiq do të ndikojë shumë në të ardhmen dhe reputacionin e BE-së si një ndërmjetësues.

“BE në këtë rol, me qëndrimin e vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, kryesisht për shkak të pasojave të mundshme për vendet e tyre, ka detyrimin të mbetet statusor neutral dhe një ndërmjetës i vullnetit të mirë,” shkroi më tutje Janjiq, raporton portali serb “Kosovo Online”, transmeton Klan Kosova.

Ai arriti në përfundimin se roli i Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut është shumë i rëndësishëm, veçanërisht nëse mbështetet kërkimi për një zgjidhje të ekuilibruar, respektimi i të drejtave njerëzore dhe fetare.