Qeveria italiane ka bllokuar eksportin e vaksinës së AstraZenecas për në Australi.

Përmes këtij vendimi është bllokuar dërgimi i 250.000 dozave të vaksinës, që janë prodhuar nga fabrika e AstraZenecas që gjendet në Itali.

Italia është shteti i parë i Bashkimit Evropian, që po zbaton rregullat e reja të bllokut, duke ndaluar eksportet nga kompanitë që prodhojnë vaksina, e të cilat kanë dështuar që të përmbushin obligimet që kanë me BE-në.

Ky vendim i Qeverisë italiane, sipas mediave, është mbështetur edhe nga Komisioni Evropian.

AstraZeneca ka thënë se do të sigurojë vetëm 40 për qind të furnizimit me vaksina për vendet anëtare të BE-së, që do të distribuohen në tre muajt e parë të këtij viti. Kjo kompani britanike ka thënë se nuk do të arrijë të përmbushë obligimet që ka ndaj shteteve të bllokut evropian, për shkak të problemeve me prodhimin e vaksinave.