Zlatan Ibrahimovic i ka dyfishuar kritikat e tij ndaj sportistëve që përziejnë politikën dhe sportin. Sulmuesi i Milanit foli të martën në një konferencë shtypi për festivalin muzikor “San Remo”, në të cilin ai është bashkënikoqir.

“Sportistët bashkojnë botën, politika e ndan atë”, tha Ibra. “Roli ynë është të bashkojmë botën duke bërë atë që bëjmë më së miri. Sportistët duhet të jenë sportistë dhe politikanët duhet të bëjnë politikë”.

Javën e kaluar Ibrahimoviq e veçoi yllin e ekipit të NBA-së, Los Angeles Lakers, LeBron James, për sjelljen e politikës në arenën sportive. Sipas tij, James nuk duhet të përzihet në politikë, por të fokusohet në sport.

“Më pëlqen shumë James. Ai është fenomenal, por nuk më pëlqen kur njerëzit me një status flasin për politikë”, ishin fjalët e Ibrahimoviqit javën e shkuar. “Unë luaj futboll, sepse jam i mirë në këtë sport, nuk bëj politikë. Nëse do të isha një politikan, do të bëja politikë. Ky është gabimi i parë që njerëzit e famshëm bëjnë kur bëhen të famshëm”.

James, i cili ishte një nga zërat kryesorë të NBA-së kundër padrejtësisë racore dhe brutalitetit të policisë, kundërshtoi komentet e Ibrahimoviqit. Madje, basketbollisti amerikan shtoi se gjithmonë do ta përdorë zërin e tij në lidhje me çështjet e barazisë.

“Unë kurrë nuk do të hesht për gjëra që nuk janë në rregull. Unë predikoj për njerëzit e mi dhe predikoj për barazinë, drejtësinë shoqërore, racizmin, shtypjen e votuesve – gjëra që vazhdojnë të na mundojnë në komunitetin tonë”, ishte kundërpërgjigja e Jamesit. “Meqenëse unë isha pjesë e komunitetit tim në një moment dhe pashë gjërat që po ndodhnin, atëherë e ndieja obligim reagimin tim. Unë jam zëri i komunitetit dhe përdor platformën time për të vazhduar të hedh dritë mbi gjithçka që mund të ndodhë, jo vetëm në komunitetin tim, por në këtë vend dhe në botë”.

James gjithashtu theksoi që Ibrahimoviq, i cili dikur tha se Muhamed Ali është sportisti i tij i preferuar për shkak të “asaj që ai bëri brenda dhe jashtë ringut”, ka folur për politikën në të kaluarën.

Në konferencën e mbajtur të martën, Ibra foli edhe për kritikat që ka marrë së fundi. Suedezi 39-vjeçar është kritikuar shumë që është pajtuar të marrë pjesë në katër netët e konkursit vjetor të këngës në Liguria, këtë javë. Klubi i tij ka ndeshje në Serie A të mërkurën dhe të dielën. Ibrahimoviq, i cili është shënuesi më i mirë i Milanit këtë sezon me 14 gola në 14 ndeshje kampionale, u dëmtua në ndeshjen e fundit dhe për këtë arsye do t’i mungojë ekipit gjatë kësaj jave. Megjithatë, ai këmbënguli se festivali nuk do të jetë një shpërqendrim nga puna e tij ditore.

“Unë jam një profesionist dhe kushdo që më njeh e di atë. Kur luaj futboll unë jam i përqendruar vetëm në këtë. Unë dua ta ndihmoj Milanin dhe t’i jap shumë Italisë për gjithçka që më ka dhënë ndër vite, jo vetëm në futboll. Unë pata shansin të isha mysafir në Festival, një nga më të rëndësishmit në Itali dhe vendosa të marr pjesë”, insistoi Ibrahimoviq.

Ai foli edhe në lidhje me përplasjen e tij të fundit me ish-bashkëlojtarin te Manchester Unitedi, belgun Romelu Lukaku. Dyshja u konfrontua në derbin e qytetit të Milanos.

“Nëse ai dëshiron të vijë në San Remo, ai është i mirëpritur”, tha Ibrahimovic.

“Ajo që ndodh në fushë mbetet në fushë”.