Ilkay Gundogan është në një prej momenteve më të mira të karrierës së tij.

Mesfushori i Manchester Cityt është rikthyer në nivelet e tij më të mira.

Këtë sezon, në 21 prezenca në kampionat ka shënuar 11 gola (2 asiste).

Por, gjatë sezoneve të fundit, mesfushori gjermano-turk ka pasur shumë probleme me gjendjen fizike.

Gjatë një interviste për “The Guardian”, lojtari nga Gelzenkirsheni tregon se ka menduar edhe tërheqjen.

Ishte viti 2014 dhe Gundogan që atëherë luante te Dortmundi, dëmtohej në shpinë gjatë një ndeshjeje të Champions-it, pas së cilës niste një kalvar i vërtetë vuajtjesh.

“Ishte më keq sesa dëmtimi im në gju. Qëndrova jashtë për 14 muaj dhe askush nuk e dinte se çfarë dëmtimi ishte. Fola me një kirurg, i cili donte të më fuste një vidë të madhe në shpinë, e cila nuk do të më kishte lejuar më që të luaja futboll në nivele të larta. Kisha frikë se nuk do të mund të luaja më dhe jam me të vërtetë me fat që gjeta një tjetër kirurg. Kam ende ndonjë problem, por ndihem mjaftueshëm mirë”, deklaroi mesfushori 30-vjeçar.