Era e fortë nuk ishte pengesë për punëtorët që po punojnë intensivisht për ndërtimin e poliklinikës në Saraj.

Edhe ata e kanë kuptuar nevojën e banorëve të kësaj zone, që sa më shpejtë të ndërtohet një institucion i tillë shëndetësor në komunën e tyre. E kryetar i Komunës, Blerim Bexheti, kishte vetëm fjalë miradije për Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët janë edhe investitorë të këtij projekti.

“Një projekt shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për qytetarët e komunës së Sarajit. Falënderoj Ministrinë e shëndetësisë, ministrin Z. Filipçe dhe zëvendësin, Z. Hasani për realizmin e suksesshëm të këtij projekti deri në këtë fazë”, tha Blerim Bexheti, kryetar i Komunës së Sarajit.

Por ministri Filipçe, nuk kaloi vetëm me falënderimet e autoriteteve lokale. Pyetjet për vaksinat dhe për rritjen e numrit e të infektuarve nuk munguan as sot. Tani për tani, për masa restriktive nuk po mendohet, por të hënën Komisioni për sëmundje infektive do të takohet sërish.

“Me të vërtetë është detektuar një përqindje e madhe tek rastet e reja prezenca e llojit britanik të virusit, mbi 70%. Në këtë moment kapacitetet nëpër spitale nuk janë të rrezikuara, gjithandej ka krevate të lira. Analiza do të përfundojë në fillim të javës së ardhshme. Po i ndjekim të gjitha këto ditë. Tani për tani nuk ka nevojë për vendosjen e masave të reja restriktive, por nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi. Në fillim të javës së ardhshme do ta themi qëndrimin tonë në përputhje me këtë analizë”, tha ministri Filipçe.

Përveç ndërtimin e poliklinikës, lajmi i mirë është se vaksinimi masiv pritet të nisë të mërkurën. Filipçe tha se janë në bisedime me AstraZeneca-n për 200 mijë doza shtesë, por ende nuk ka konfirmim nga kompania. Sipas tij, deri më tani janë porositur 2.200.000 doza të vaksinave të ndryshme.