Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir ka kritikuar kreun e VV-së, Albin Kurtin, meqë ditë më parë tha se do ta shqyrtojë vendosjen e Ambasadës në Izrael, pas thirrjeve të presidentit turk, Erdogan për një gjë të tillë.

Ben Meir përmes një postimi në facebook thotë se Kurti po bën një gabim shumë të madh duke lavdëruar Erdoganin, të cilin ai e quan një diktator të pamëshirshëm që është i vendosur të përhapë agjendën e tij islamike në të gjithë Ballkanin, përcjellë Klan Kosova.

”Albin Kurti po bën një gabim të madh duke respektuar #Erdoganin, një diktator i pamëshirshëm që është i vendosur të përhapë agjendën e tij islamike në të gjithë Ballkanin.

Premtimi ndaj Turqisë se ”vendi ku do të vendoset ambasada e Kosovës në #Izrael duhet të mendohet” është një mesazh i qartë ku qëndron Kurti kur bëhet fjalë për strategjinë gjeopolitike – ky është një hap i gabuar.

Në vend të kësaj, Kurti duhet të kërkojë një hetim mbi kontratat e dyshimta që ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nënshkroi, të cilat i dhanë Erdoganit kontrollin mbi pasuritë kryesore të shtetit.

Nëse Kurti me të vërtetë dëshiron të luftojë korrupsionin, ky është shansi i tij për të filluar”.