Një incident i rëndë ndodhi ditë më parë në fshatin Bibaj të Ferizajt.

Një person ishte goditur nga një tjetër në parkingun e një pompe derivatesh ku si pasojë edhe humbi jetën, njofton Klan Kosova.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda sot bën të ditur se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të pandehurit B.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 21 Shkurt 2021, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, në parkingun e pompës së derivateve “Hib Petrol”, i pandehuri B.SH., me dashje i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të ndjerit A.L., ku pas një fjalosje, i njëjti e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast si pasojë e kësaj goditje rrëzohet në tokë-beton dhe pëson lëndime trupore dhe si pasojë e lëndimeve të pësuara i njëjti ndërron jetë” thuhet në kumtesën e Prokurorisë.

Me këto veprime dyshohet se i pandehuri B.SH., ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” për të cilën gjendet në ndalim 48 orësh.