Koreja e Jugut ka nisur hetimet për vdekjen e dy personave 4 ditë pasi morën vaksinën AstraZeneca kundër koronavirusit.

Viktimat ishin të moshës 50 dhe 63-vjeç. Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve nuk i lidhi vdekjet me vaksinën që ata kishin marrë, megjithatë bëri të ditur se për këto dy raste kishin nisur hetimet.

Jeong Eun-kyeong, drejtori i agjencisë, tha se njëri nga viktimat kishte pasur temperaturë të lartë pasi kishte marrë vaksinën. Ai ndërroi jetë për shkak të pneumonisë, ndërsa personi i dytë pësoi atak kardiak.

Një zëdhënës i AstraZeneca-s në Seul tha se kompania nuk kishte asnjë koment mbi këto dy raste.

Autoritetet në Korenë e Jugut kanë bërë të ditur se 207 persona kishin shfaqur efekte anësore pasi kishin marrë vaksinën, përfshi edhe 3 raste të rënda me anafilaksi, shkruan A2news.

Koreja e Jugut filloi vaksinimin e popullsisë së saj javën e kaluar. Deri të martën në mesnatë, 85904 persona kishin marrë dozat e para të vaksinës AstraZeneca, ndërsa 1524 të tjerë morën vaksinën Pfizer.