Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore janë përqëndruar tek nevojat e popullatës së tyre, Kina është zotuar të ndihmojë me afro 500 milionë doza vaksine vende me të ardhura të ulëta ose të mesme. Vëzhguesit e zhvillimeve ndërkombëtare thonë se Kina po e shfrytëzon këtë fushatë për synime strategjike, por për individë që kërkojnë të vaksinohen për të mbrojtur shëndetin dhe për t’u kthyer në normalitet, oferta e Pekinit është e mirëpritur.

 

Dushko Milojeviç kujton shokët që nuk i ka më, pasi u mori jetën koronavirusi. Një prej tyre ishte një moshë me të.

 

“Ishte i shëndetshëm, pa probleme mjekësore. La dy fëmijë pa baba,” tregon ai.

Zoti Milojeviç, pronar i një klubi nate në Beograd, po has vetë plot probleme si rezultat i kufizimeve që ka imponuar pandemia. Prandaj kur iu ofrua mundësia për t’u vaksinuar kundër koronavirusit, nuk donte t’ia dinte që vaksina vinte nga Kina:

 

“Më intereson vetëm fakti që është miratuar diku. Jam i bindur se Kina nuk do të vrasë njerëzit e vet me të,” thotë ai.

 

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore janë përqëndruar tek nevojat e popullatës së tyre, Kina është zotuar të ndihmojë me afro 500 milionë doza vaksine vende me të ardhura të ulëta ose të mesme.

 

Pavarësisht se mbeten të hapura shumë pyetje për efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës, njerëz nga Kili, në Zimbabve, nga Indonezia në Serbi kanë zënë rradhë për t’u vaksinuar me dozat që ka dërguar Pekini.

 

“Po shohim shpalosjen në kohë reale të diplomacisë së vaksinave. Kina kryeson në këtë përpjekje duke u ofruar vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme vaksinat e prodhuara prej saj,” thotë Dr. Krishna Udayakumar në Universitetin Duke të Karolinës së Veriut.

 

 

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, afro 50 vende në botë kanë marrë, ose kanë bërë porosi për vaksinën kineze kundër COVID-it. Autoritetet e Pekinit e quajnë këtë fushatë: bashkëpunim për vaksinim dhe jo diplomaci e vaksinave:

 

“Ne besojmë se të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku për t’i bërë qëndresë nacionalizmit në vaksina dhe të nxisin një shpërndarje të drejtë dhe të arsyeshme të vaksinave, sidomos në ndihmë të vendeve në nevojë,” thotë një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme kineze.

 

Por Dr. Udayakumar thotë se Pekini po e përdor këtë fushatë si formë e diplomacisë së butë:

 

“Kur një vend të jetë përballë vendimeve diplomatike pas 2-3 vjetësh, ndoshta do të ruajë kujtime të mira për atë shtet që iu gjend pranë në këtë kohë krize,” thotë eksperti.

 

Kina ka shpërndarë nëpër botë 10 herë më shumë doza se sa ka përdorur deri tani në vend për vaksinimin e popullatës së vet.

 

Në krahasim me vaksinat perëndimore, kandidatja kineze ofron përqindje më të ulët efikasiteti, por deri tani nuk ka pasur njoftime për efekte të rënda anësore. Për disa udhëheqës kjo mjafton:

 

“Do të jemi në gjendje të shpëtojmë mijëra e mijëra jetë. Nuk gjej dot fjalë për të shprehur mirënjohjen time për Kinën,” tha Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic.

 

Serbia ishte vendi i parë në Evropë që filloi të imunizonte popullatën me vaksina kineze. Qeveria tha se ka blerë 2.6 milionë doza në total, pjesa më e madhe nga Kina. Bashkimi Evropian nuk e ka miratuar përdorimin e vaksinës kineze në territorin e tij.

 

Fakti që Serbia, e cila ka ambicje aderimi në Bashkimin Evropian në të ardhmen, bleu vaksina nga Kina, është një fitore e rëndësishme gjeopolitike për Pekinin që po përpiqet të zgjerojë influencën në Evropë.

 

Të gjitha këto makinacione janë të parëndësishme për qytetarë të thjeshtë si zoti Milojeviç, i cili do rikthimin sa më parë në normalitet që të rihapë klubin e natës për aktivitete:

 

“Kishim planifikuar rreth 10 koncerte, të gjitha biletat ishin shitur. Papritur çdo gjë u ndal,” tregon ai për fillimet e pandemisë.

 

Ai shpreson se vaksina do të ndihmojë për të vënë nën kontroll pandeminë, por disa gjëra nuk do të jenë kurrë si më parë:

 

“Po rritet numri i atyre që janë si unë, të cilët kanë humbur një njeri të dashur nga koronavirusi. Këta nuk ishin njerëz që nuk e besonin se ekzistonte pandemia, të cilët nuk ndiqnin rregullat. Megjithatë, ata nuk janë më,” thotë zoti Milojeviç.