Ish-luftëtari i stileve të përziera Paul Robson është dënuar sot me burgim të përjetshëm për vrasjen e ish-të dashurës së tij Caroline Kayll, dhe tentativës së vrasjes së një djali 15-vjeçar, me të cilin gruaja ishte lidhur pas ndarjes me të.

Në gjyq u tha se 50 vjeçari Robson, i kishte marrë para me shantazh të ndjerës Kayll, 47 vjeçare.

Më pas ai i kishte përgjuar ata tinëz nga jashtë shtëpisë në Northumberland në veri të Anglisë, nëntorin e shkuar.

Në gjykatën e Newcastle u tha se vrasësi kishte goditur në kokë Kayll me këpucë të rënda pune, e kishte goditur me thikë dhe e kishe asfissuar.

Më pas ai kishte sulmuar djalin me një hanxhar mishi, i kishte lyer ata të dy me amoniak dhe kishte vjedhur celularët e tyre.

Gjykatësi Lavender i tha Robson: “Ti u zemërove kur mësove për lidhjen e tyre dhe erdhe me makinë nga Glasgow në shtëpinë e saj”.

Robson, i cili kishte 21 dënime për 92 shkelje gjatë më shumë se 20 viteve, mohon vrasjen.

Ai pretendon se djali ka sulmuar ish-partneren e tij dhe se ai vetë kishte luftuar me adoleshentin që ka trup të fortë.

Në gjykatë u tha se Robson kishte njohur zonjën Kayll kur ai ishte i burgosur në HMP Northumberland, dhe ajo ishte mësuese burgu. Ata kishin nisur atje një marrëdhënie të fshehtë, teksa gruaja ishte e martuar.

Pas lirimit të burrit ata kishin jetuar së bashku por ishin ndarë dy javë para vrasjes.

Së fundmi ajo kishte nisur një marrëdhënie me adoleshentin, që nuk është emëruar publikisht prej moshës së tij.

Prokurori Nicholas Lumley tha se Robson po i bënte shantazh ish-të dashurës duke i kërkuar 35,000 paundë, përndryshe do të tregonte sekretin e saj në shkollën ku punonte për ta shkatërruar.

Dhe në fakt gjatë një periudhe prej 10 ditësh në nëntor, gruaja kishte transferuar 29,000 paundë te Robson dhe kishte marrë një hua prej 10,500 paundë.

Disa ditë më vonë Robson i kishte dërguar mesazhe një fqinjit të tyre të përbashkët duke i treguar për marrëdhënien e Kayll me djalin, ku dhe thoshte se “po e humbiste mendjen”, sipas prokurorit.

Më 15 nëntor, ai erdhi me makinë nga Glasgoë në Skoci drejt Linton, i pajisur me kyç dere, gjurmues GPS, pinca e kaçavida.

I akuzuari trupmadh ishte kapur nga kamerat e sigurisë duke përgjuar jashtë shtëpisë së gruas.

Më vonë dëshmitarët kishin dëgjuar një zë gruaje që thoshte “dil jashtë” dhe atë mbrëmje  Robson kishte trokitur në shtëpinë e fqinjëve për t’i thënë se  ‘Caroline është në gjendje të keqe’, shtoi prokurori Lumley.

Infermierja Barbara Lee shkoi menjëherë në shtëpi dhe tha në gjykatë se brenda gjeti shumë gjak dhe flokë të prerë, ndërsa zonja Kayll ishte me fytyrë përtokë.

Në shtëpi ishte gjithashtu adoleshenti, në gjendje të shokuar dhe i gjakosur, tha dëshmitarja.

Zonja Lee tentoi të jepte ndihmën e parë dhe kur erdhi ambulanca zonja Kayll u dërgua në spital, ku skanimet tregonin dëme të rënda në tru.

“Këto ishin veprimet e një njeriu hakmarrës, e gjithashtu xheloz”, tha prokurori Lumley.

Robson kishte marrë të dy celularët dhe postoi mesazhet e tyre në Facebook për të ekspozuar aferën mes tyre, tha Lumley.

Zonja Kayll kishte punuar si punonjese sociale, me pas si mesuese ne burgun e Northumberland dhe me tej ishte bere mesuese shkolle. Disa vite me pare ajo ishte ndare nga bashkeshorti.