Norma e interesit për euroobligacionin e tetë të vendit që u emetua këtë javë është më e ulët nga shumë vende që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose që kanë rejting kreditor më të mirë se vendi, siç janë Kroacia, Turqia dhe Serbia. Megjithatë, investitorët kishin më shumë besim në ekonominë tonë dhe perspektivat e saj dhe arritëm normën më të ulët historike të interesit prej 1.625%, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi gjatë intervistës i ftuar në emisionin “Top tema”.

Ministri i Financave vuri në dukje se rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, gjatë kohës së krizës së covid-it është realitet për pothuajse të gjitha ekonomitë botërore, duke përfshirë edhe vendin tone. Ai tha se ekonomi të tilla si Spanja, Italia dhe Greqia vitin e kaluar e rritën borxhin shtetëror me më mbi 20 pikë përqindje. Ministri i Financave thotë se tani politikat pas krizës do të kenë rëndësi të madhe në drejtim të stabilizimit dhe revitalizimit të ekonomisë, duke përfshirë edhe stabilizimin e borxhit publik.

– Tek borxhi publik më e rëndësishme është qëllimi për të cilin i marrim mjetet dhe se a do të jemi në gjendje në të ardhmen ta servisojmë këtë borxh. Jo rastësisht në Buxhetin e vitit 2021, bëmë planifikim afatmesëm. Korniza afatmesme është deri në vitin 2025 dhe bazohet në tre komponentë: plani i rritjes – si të rritet dhe përshpejtohet rritja në 5.9% në vitin 2025, komponenti i dytë është konsolidimi i buxhetit dhe komponenti i tretë është plani i investimeve publike prej 3.2 miliardë euro. Me konsolidimin fiskal në mënyrë graduale bëhet zvogëlimi i deficitit buxhetor dhe njëkohësisht i borxhit publik, ashtu që në vitin 2025 të zvogëlohet në 58.8% të BPV-së. Nga njëra anë, do të veprojmë që të rrisim të hyrat përmes përmirësimit të arkëtimit, përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve, gjegjësisht realizimin e shpenzimeve kapitale dhe në fund burime të reja të financimit të deficitit – tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.