Modelja 25-vjeçare, Kasia Lenhardt, u gjet e vdekur nga policia më 10 shkurt të këtij viti, e cila një javë para ngjarjes tragjike i dha fund lidhjes me futbollistin gjerman, Jerome Boateng.

Në fakt ndarja e tyre nuk ishte e lehtë, sepse futbollisti tha në një intervistë gjëra shumë të pakëndshme për modelen disa kohë më parë.

Futbollisti gjerman e akuzoi modelen e ndjerë se ajo e kishte detyruar të ndahej nga ish e dashura e tij dhe se kishte bërë shantazh për të qëndruar me të.

Ndërsa Kasia kishte premtuar se do të tregonte gjithë të verteten pasi të merrte veten nga ndarja dhe pak ditë para se të ndërmerrte aktin ekstrem shprehej në rrjete sociale se ishte gati të niste një kapitull të ri në jetën e saj.

Ndërkohë Prokuroria Publike e Mynihut ka hapur një hetim në lidhje me ngjarjen e rëndë, teksa i akuzuar ka përfunduar edhe mbrojtësi i Bayern Munchen.

Media gjermane “Bild” raporton se autopsia e modeles ka nxjerrë dëmtim të një prej veshëve të saj dhe ka dyshime se një dëmtim të tillë ia ka kryer 32-vjeçari gjerman. Nëse gjithçka vërtetohet, atëherë Boateng do të akuzohet për plagosje.

Kryeprokurorja e Mynihut ka deklarauar se kanë marrë disa informacione të reja në kontekstin e hetimit, që do të vijojë edhe më tej.

Kujtojmë se disa personazhe shqiptarë e kishin njohur nga afër Kasian, një ndër ta edhe Ardian Bujupi i cili e kishte ftuar atë në videoklip.