Një hulumtim i detajuar i fundit nxori në pah një detaj të panjohur për një nga pikturat më të famshme në botë, “Britma” e Edvard Munch. Mesazhi i shkruar në këndin e sipërm të majtë të pikturës, për të cilin mendohej se ishte një akt vandalizmi, në fakt është shkruar nga vetë Munch.

Museu Kombëtar i Norvegjisë zbuloi se fraza “Kan kun være malet af en gal mand” (Mund të jetë pikturuar vetëm nga një i çmendur) u shkrua nga vetë artisti, duke zgjidhur kështu një nga misteret e veprës.

“Shkrimi është padyshim i Munch,” tha (via CNN) Mai Britt Guleng, kuratori i muzeut. “Vetë shkrimi i dorës, si dhe ngjarjet që ndodhën në vitin 1895, kur Munch prezantoi pikturën në Norvegji për herë të parë, të gjitha tregojnë të njëjtin drejtim.”

Nisur nga fakti që piktura nuk u vlerësua nga disa kritikë të kohës, studuesit janë të mendimit se fraza ishte një reagim i artistit të zhgënjyer nga kritikat.

“Në një natë diskutimi në Shoqatën e Studentëve, ku Munch besohet të ketë qenë i pranishëm, një student i mjekësisë vuri në dyshim shëndetin mendor të Munch duke pretenduar se pikturat e tij vërtetonin se ai nuk kishte mendje të shëndoshë. Ka mundësi që Munch të ketë shtuar mbishkrimin në vitin 1895, ose pak më vonë në përgjigje të gjykimit mbi punën e tij,” tha muzeu.

“Britma” mendohet se frymëzua nga përvoja e Munch teksa shëtiste gjatë muzgut në Olso, kur qielli u bë jashtëzakonisht i kuq dhe i përjetoi një gjendje shqetësuese fizike dhe mendore. Megjithatë interpretimi i saj mbetet çështje këndvështrimi.

Kryevepra ekspresioniste është një nga veprat më të famshme të kohëve moderne, e konceptuar vazhdimisht si një përshkrim i përjetshëm i ankthit njerëzor. Fytyra e subjektit është kaq e njohur, sa ka shërbyer edhe si frymëzim për krijimin e një emoji (emoji: U+1F631).