Presidenti kinez Xi Jinping ka deklaruar se vendi i tij ka çrrënjosur varfërinë ekstreme.

Qeveria e tij ka bërë të ditur se gjatë një periudhe 8-vjeçare, gati 100 milion njerëz kanë dalë nga varfëria.

Mediat kineze e cilësojnë këtë si një fitore e cila do të hyjë në histori. Por disa ekspertë kanë vënë në dyshim mënyrën e matjes së kësaj. Në Kinë, varfëria ekstreme përcaktohet kur njerëzit marrin më pak se 620 dollarë në vit.

Sipas BBC, 832 qarqe të goditura nga varfëria, si dhe 128,000 fshatra janë hequr nga lista e skamjes. Zhdukja e varfërisë ka qenë një iniciativë kryesore e Xi që kur erdhi në pushtet në 2012.

Kina njoftoi në fund të vitit të kaluar se kishte hequr qarqet e fundit të mbetura nga një listë e rajoneve të varfra.

Xi gjatë një koference për shtyp theksoi se Kina kishte investuar 1.6 trilion juanë, ose 224 miliardë dollarë, në luftën kundër varfërisë por nuk dha shifra për shpenzimet e planifikuara gjatë pesë viteve të ardhshëm.

Pragu i vendosur nga Kina për të përcaktuar varfërinë ekstreme arrin në 1.69 dollarë në ditë me kurset aktuale të këmbimit, krahasuar me pragun global të Bankës Botërore prej 1.90 dollarë. Pabarazitë e të ardhurave gjithashtu vazhdojnë të ekzistojnë në vend.