Rreth 50 nxënës kanë dalë në protestë në Graçanicë për t’iu ofruar mbështetje të dyshuarve të sulmit të djalit të politikanit serb, Nenad Rashiq.

Ata mbanin në dorë pankarta të tilla si “Ju nuk jeni vetëm” dhe “Drejtësi për vëllezërit”, njofton Klan Kosova.

Gjykata Themelore në Graçanicë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shtatë të rinjtë që dyshohen se rrahën me mjete të forta djalin e Rashiqit, Nikollën, në Llapnasellë, shkruan Radio Kim.

Tubimi është i ndaluar sipas masave kundër pandemisë dhe për protestë duhet regjistruar kërkesa para 48 orësh në Policinë e Kosovës. Por, edhe pse s’u përmbushën këto dy kritere, nxënësit dolën në rrugë.

Avokati i njërit prej të rinjve, Predrag Miljkoviq, i tha Radio Kim se ata e dorëzuan ankesën në Gjykatën e Apelit dje dhe se ata presin përgjigje javën tjetër.