Me gati gjysmën e popullsisë së Izraelit të vaksinuar me të paktën njërën dozë të vaksinës Pfizer-BioNTech, Ministria e Shëndetësisë e Izraelit po raporton rezultate edhe më të mira se ato të marra nga provat klinike të kompanisë Pfizer. Izraeli, i cili kryeson botën në përqindjen e popullsisë së vaksinuar, shkëmben të dhënat mjekësore me kompaninë Pfizer. Siç njofton korrespondetja e Zërit të Amerikës, Linda Gradstein nga Jeruzalemi, lajmi i mirë vjen ndërsa pjesa më e madhe e ekonomisë izraelite u rihap gjatë fundjavës.

Qendrat tregtare të Izraelit u hapën për herë të parë pas muajsh kufizimesh dhe bllokimesh për shkak të koronavirusit. Një numër i kufizuar i njerëzve lejohen brenda dyqaneve.

Vende të tjera, si hotelet dhe palestrat, janë të hapura vetëm për izraelitët që mbajnë ato që quhen “Pasaportat e Gjelbërta”, të cilat tregojnë se ata kanë marrë dy doza të vaksinës COVID-19, ose që e kanë kaluar virusin.

Mati Ariel është pronare e shtatë palestrave në të gjithë vendin ku janë regjistruar mijëra anëtarë. Të gjitha palestrat kanë qenë të mbyllura për pjesën më të madhe të vitit të kaluar dhe punëtorët e saj kanë qenë me leje pa rrogë.

“Po i motivojmë njerëzit të vaksinohen sepse ata duan të rikthehen në palestër. Por ka shumë njerëz që nuk mund të vaksinohen, si të rinjtë nën 16 vjeç, të cilët sipas rregullave nuk mund të vaksinohen dhe kështu po ndëshkohen. Ata me të vërtetë kanë nevojë për palestrën, për shëndetin e tyre fizik dhe mendor”, thotë zonja Ariel.

Hyrja në palestra është vetëm një nga stimujt e vaksinimit që u ofrohet të rinjve izraelitë, të cilët kanë qenë më të gatshëm sesa të moshuarit për të marrë pjesë në fushatën masive të vaksinimit të vendit. Tel Avivi dhe qytete të tjera kanë ofruar birrë joalkoolike, falafel dhe pica falas së bashku me vaksinën që bëhet në të njëjtin vend.

“Erdha të bëj vaksinën kundër COVID-19. Bashkia e Tel Avivit pati një ide interesante, për t’i tërhequr të rinjtë që ta bëjnë vaksinën në lokal dhe t’u japin birrë falas”, thotë Yaara Maimon, banore e Tel Avivit.

Përpjekja intensive dymujore e Izraelit për vaksinimin ka treguar rezultate mbresëlënëse për vaksinën Pfizer, sipas një deklarate të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë. Si pjesë e marrëveshjes me të cilën Izraeli bleu vaksina të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e tij, Izraeli ra dakord të shkëmbejë të dhënat e tij me kompaninë Pfizer.

“Shohim se efektiviteti është ai që u deklarua në studimet e kompanive Pfizer dhe Moderna, rreth 95 përqind. Dhe për sa i përket njerëzve të pranuar në spital, është edhe më shumë se kaq. Mbrojtja është e fortë”, thotë Ronni Gamzu, ish-koordinator kombëtar për koronavirusin.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit thotë se pas marrjes së dy dozave të vaksinës, rreziku i sëmundjes nga koronavirusi për izraelitët ra me 98.5%, dhe rreziku për t’u shtruar në spital ulet me pothuajse 99%.

Por edhe me këto statistika, zyrtarët izraelitë të shëndetësisë thonë se rihapja e vendit duhet të jetë graduale dhe se mbajtja e maskës dhe distancimi fizik do të vazhdojnë në të ardhmen.